TITAN SHARRCEM Promovon Ndërgjegjësimin për Kancerin e Gjirit Përmes Nismës së Tetorit Rozë
Full Story
Duke bashkuar zërat e komunitetit, ekspertizën mjekësore dhe përvojat personale, TITAN SHARRCEM organizoi një panel diskutimi në kuadër të Tetorit Rozë, me qëllim theksimin e rëndësisë së ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit, zbulimit të hershëm dhe mbështetjes së përbashkët për shëndetin e grave. Më 26 tetor 2026, TITAN SHARRCEM mblodhi rreth 150 gra në Qendrën Kulturore në Han të Elezit për një panel diskutimi kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit.
Në këtë aktivitet morën pjesë punonjëset e TITAN SHARRCEM dhe gra nga komuniteti lokal, duke krijuar një hapësirë për dialog të hapur, shkëmbim njohurish dhe reflektim mbi një çështje që vazhdon të prekë gratë dhe familjet në mbarë shoqërinë. Diskutimi bëri bashkë përfaqësuese të njohura nga jeta publike, shoqëria civile, sektori shëndetësor dhe institucionet lokale, të cilat kontribuuan me perspektivat e tyre mbi rëndësinë e ndërgjegjësimit, parandalimit dhe zbulimit të hershëm të sëmundjes.
Në panel morën pjesë Atifete Jahjaga, ish-Presidente e Kosovës dhe themeluese e Fondacionit Jahjaga, e cila ka qenë një zë i rëndësishëm në promovimin e shëndetit të grave dhe ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit; Nafije Latifi, themeluese e Shoqatës së Grave të Prekura nga Kanceri i Gjirit në Kosovë, JETA/VITA, e cila ndau përvojën e saj si e mbijetuar e kancerit të gjirit dhe foli për sfidat e trajtimit të kësaj çështjeje në një kohë kur ajo ende konsiderohej gjerësisht si temë tabu; Dr. Shkëndije Nuza, specialiste e radiologjisë, e cila theksoi rëndësinë e njohjes së shenjave të mundshme paralajmëruese, kuptimit të faktorëve të rrezikut, kontrolleve të rregullta mjekësore dhe kërkimit në kohë të këshillave profesionale; si dhe Kimete Kuka Hasallari, drejtoreshë e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Hanit të Elezit, e cila përfaqësoi rolin e institucioneve lokale në mbështetjen e shëndetit dhe mirëqenies së komunitetit.
Në aktivitet mori pjesë edhe Mehmet Ballazhi, kryetar i Komunës së Hanit të Elezit, i cili shprehu mbështetjen për këtë nismë, duke përkrahur përpjekjet për rritjen e ndërgjegjësimit dhe vëmendjen e vazhdueshme ndaj shëndetit të grave. Përmes ndërthurjes së dëshmive personale, ekspertizës mjekësore dhe perspektivave institucionale, diskutimi përcolli një mesazh thelbësor: zbulimi i hershëm dhe qasja në informacione të besueshme mund të bëjnë një ndryshim të rëndësishëm. Njëkohësisht, u theksua rëndësia e krijimit të një mjedisi ku gratë ndihen të mbështetura për të kërkuar informacion, për t’iu nënshtruar kontrolleve mjekësore dhe për të folur hapur për shëndetin e tyre, pa paragjykime, stigmë apo hezitim.
Për TITAN SHARRCEM, kjo nismë pasqyron përkushtimin e kompanisë ndaj kujdesit për punonjësit e saj dhe kontributit pozitiv në komunitetet ku operon. Krahas dimensionit të angazhimit në komunitet, aktiviteti ishte pjesë e nismave të kompanisë për mirëqenien e punonjësve, duke ndërlidhur kujdesin në vendin e punës me përpjekjet më të gjera për promovimin e ndërgjegjësimit, gjithëpërfshirjes dhe komuniteteve më të shëndetshme. Në TITAN SHARRCEM besojmë se ndërtimi i një të ardhmeje të qëndrueshme fillon me njerëzit. Mbështetja e nismave që promovojnë ndërgjegjësimin, parandalimin dhe solidaritetin është një nga mënyrat përmes të cilave kontribuojmë në ndërtimin e një shoqërie më të shëndetshme dhe më të informuar.
Tetori Rozë ofron një mundësi të rëndësishme për t’i vënë këto tema në qendër të vëmendjes, por mesazhi i tij mbetet po aq i rëndësishëm gjatë gjithë vitit. TITAN SHARRCEM shpreh mirënjohjen e sinqertë për të gjitha panelistet dhe pjesëmarrësit, Komunën e Hanit të Elezit dhe të gjithë ata që iu bashkuan kësaj nisme dhe kontribuuan në realizimin e këtij diskutimi të rëndësishëm.