Dita Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë 2024 – Vizita e nxënësve në TITAN SHARRCEM

Back to Newsroom
20 Kor
Safety And Health

Full Story

Me rastin e shënimit të Ditës Botërore për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë 2024, nxënësit e Qendrës së Kompetencës në Ferizaj zhvilluan një vizitë studimore në kompaninë SHARRCEM, të organizuar nga OJQ KOSHA. Kjo vizitë kishte për qëllim t’i njohë nxënësit me standardet e larta të shëndetit dhe sigurisë në punë që zbatohen në SHARRCEM, t’u ofrojë njohuri mbi procesin e prodhimit të çimentos, masat për mbrojtjen e mjedisit, si dhe t’i prezantojë me funksionimin e laboratorit të kompanisë.

Vizita nisi me një prezantim informues nga përfaqësuesit e Departamentit të Shëndetit dhe Sigurisë në Punë të SHARRCEM-it, të cilët prezantuan politikat dhe praktikat e kompanisë në këtë fushë. Nxënësit u njohën me rëndësinë e respektimit të rregullave të sigurisë në vendin e punës dhe me masat që SHARRCEM ndërmerr për të garantuar shëndetin dhe mirëqenien e punonjësve të saj.

Pas prezantimit mbi shëndetin dhe sigurinë në punë, nxënësit u njohën edhe me proceset e prodhimit të çimentos nga Menaxheri i Prodhimit, i cili shpjegoi fazat kryesore të procesit të prodhimit dhe teknologjitë që përdoren në fabrikë.

Gjithashtu, nxënësit patën mundësinë të vizitojnë laboratorin e SHARRCEM-it, ku u njohën nga afër me proceset dhe pajisjet që përdoren për kontrollin e cilësisë së çimentos. Kjo përvojë praktike u ofroi atyre njohuri të vlefshme mbi procedurat e sigurimit të cilësisë në industrinë e çimentos.

Në përfundim të vizitës, përfaqësuesi i OJQ-së KOSHA ndau certifikata mirënjohjeje për Menaxherin e Departamentit të Shëndetit dhe Sigurisë në Punë, Bujar Aliu, dhe Mbikëqyrësin e Shëndetit dhe Sigurisë në Punë, Suad Bushi. Këto mirënjohje vlerësojnë angazhimin e jashtëzakonshëm të SHARRCEM-it në promovimin e sigurisë në punë dhe mirëqenies së punonjësve.

Share this article
Back to Newsroom